Vendosni fjalën kyçe....

Vjosa & Albini tashmë i kanë krejt, u mbetet vetëm të qeverisin drejt


Nga Klaudio Agolli

Tashmë Kosova pas qeverisë me shumicë të cilësuar e ka edhe Presidenten e Republikës.

Tangoja qeveri-presidencë u plotësua. Kjo e kërkuar në zgjedhje dhe përfunduar sot në parlament.

Vjosa dhe Albini tashmë janë elita e re politike në Kosovë, të cilën nuk e arritën thjesht për të marrë poltronin e pushtetit.

Për qeverisjen e tyre tashmë nuk ka shkopinj nën rrota për të vijuar të drejtojnë Republikën, kur me aksionin politik të tyre arritën të imponojnë edhe ndryshime të opozitës (kjo të paktën me LDK-në se PDK-në e ndryshoi Haga).

Sfidat që i presin

Pandemia

Menaxhimi i pandemisë dhe procesi i vaksinimit është ndoshta sfida e parë që duhet të kontrollojë qeveria. Me vaksina me pikatore, buxheti në krizë do përbëjë ndoshta vështirësinë më të madhe me të cilat duhet të përballet qeveria dhe institucionet në Kosovë.

Premtimet për reformim të drejtësisë dhe lufta ndaj korrupsionit

Propozimi për vetting në drejtësinë e Kosovës duke pasur si shembull rastin në Shqipëri duket shumë sfidues për Kurtin i cili e ka premtuar me të madhe gjatë fushatës. Një reformë që nëse fillon do i kushtojë shumë si financiarisht ashtu edhe në burime njerëzore. Lufta ndaj korrupsionit mbetet vetëm çështje vullneti politik.

Legjitimiteti ndërkombëtar

Albin Kurti problemin më të madh parashihet ta ketë me ndërkombëtarët. Edhe pse Administrata e SHBA-ve ka ndryshuar, qasjet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe rolit që tashmë do ketë në dialogun me Serbinë nuk i ka pasur në fokus kjo e për shkak të pandemisë. Sfida për njohje dhe dialogu me Serbinë janë ndoshta dy më të vështirat e kësaj qeverie.

A do i përtypë Kurti deklaratat nacionaliste për një marrëveshje ndoshta të vështirë me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh deri në njohje reciproke. A do pranojë një marrëveshje të imponuar nga fuqitë e mëdha përkundër qasjes së tij kur ka qenë në opozitë?

Këto pyetje do marrin përgjigje me kalimin e kohës. Një gjë ndoshta është e sigurt Kurti në opozitë do jetë ndryshe nga Kurti në qeverinë e dytë. Përplasjen më të madhe ndoshta do ta ketë me veten, dhe ndoshta zhgënjimi më i madh do i vijë prej saj.

Prej binomit Kurti-Vjosa pritet shumë, tani i kanë krejt i mbetet vetëm të qeverisin drejt.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *