Vendosni fjalën kyçe....

Opozita që ka luksin të heshtë

Nga Klodian Tomorri

Të kritikosh opozitën është e lehtë. Ndonjëherë mund të jetë edhe e leverdisshme. Por personalisht, përpiqem shumë t’i rri larg këtij tundimi. Kjo, jo vetëm për shkak të afinitetit politik për Partinë Demokratike, por edhe për një arsye tjetër shumë më parimore. Të sulmosh opozitën është e pamoralshme, veçanërisht në kulmin e fushatës zgjedhore. Por, kjo opozitë është e çuditshme dhe të bën harbut me detyrim.

Një ditë më parë në MCN, ne publikuam me fakte një skandal të përmasave monstruoze. Transmetuam se si Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, është takuar në restorant me biznesmenin italian Francesco Becchetin, edhe pse ky i fundit ishte vënë nën hetim për pastrim parash, nga vetë qeveria ku zoti Agaçi është sekretar. Biseda mes të dyve ishte tipike e stilit mafioz. Beccheti që i kërkonte llogari Agaçit se pse ishte vënë nën hetim. Pra, një biznesmen që i kërkon llogari një zyrtari të lartë të shtetit në një restorant privat se pse shteti po e hetonte! Dhe Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë që i përgjigjej se duhet të fliste me konkurrentët e tij dhe se nuk ishte një ide e mirë që të kundërshtonte shtetin.

Përtej kësaj, transmetuam me fakte se si mbrojta e shtetit shqiptar në arbitrazh ka qenë e dyshimtë. Se si avokatura e shtetit dhe studioja ligjore e kontraktuar për të mbrojtur Shqipërinë në arbitrazh, nuk kanë thirrur asnjë prej dëshmitarëve kyç për të mbrojtur interesin e qytetarëve shqiptarë. E gjitha e provuar nga një Gjykatë Ndërkombëtare, pra jo një video nga ato të stilit Babale.

Biseda në restorant mes Engjëll Agaçit dhe Francesco Becchettit, bashkë me deklaratat publike të Ramës, ishin provat kryesore që fundosën Shqipërinë në Gjykatën e Arbitrazhit duke u vënë qytetarëve shqiptarë një gur 110 milionë kile të rëndë në qafë. Skandali është i tillë që do të rrëzonte, çdo qeveri në cilindo vend normal të planetit. Në rastin e një vendi në fushatë zgjedhore, ky skandal është dhurata më e çmuar për një opozitë. Por, jo për opozitën shqiptare.

Për habinë e shumëkujt, dje në mbrëmje Partia Demokratike nuk foli asnjë fjalë për këtë aferë. Sot, që në pikë të mëngjesit, kryetari i PD-së Lulzim Basha ishte i ftuar ne News 24. Aty foli se si qeveria duhet të ikë nga pushteti, sepse janë rritur çmimet e ushqimeve.

Të merresh me çmimet, në kohët e deflacionit të madh është një luks që nuk e ka as opozita suedeze. Aq më tepër, në fushatë zgjedhore. Por të bësh fushatë me çmimin e domateve, teksa në publik dalin fakte tronditëse se si mafia në qeveri ngjizi në mënyrë të dyshimtë gjobën 110 milionë euro është e pashpjegueshme.

Sot Edi Rama duhet të ishte njeriu më i trembur në Shqipëri. Afera e gjobës së Bccçhetit, potencialisht duhet t’i kishte vënë vulën pa asnjë dyshim rezultatit të zgjedhjeve. Por Edi Rama është i qetë. Ndoshta, me të drejtë.

Përtej çdo mëkati të opozitës, kjo qeveri duhet të ikë një orë e më parë. Duhet të ikë për shkak të gjynaheve të panumërta, pasi në historinë e Shqipërisë do të mbahet mend si një nga qeveritë më të korruptuara. Duhet të ikë për shkak të shkatërrimit të konkurrencës në treg, abuzimit me fondet publike dhe shndërrimit të shtetit në çifligun e saj privat dhe të klientëve të saj. Duhet të ikë sepse është bërë një barrë e papërballueshme për këdo që jeton në këtë vend nga 0 deri në 100 vjeç. Pastaj, meqë opozita e ka me shumë merak, duhet të ikë edhe për çmimin e ushqimeve.

Tani, të lutemi të gjithë, që Zoti të ketë pak mëshirë për shqiptarët dhe në 25 prill të bëjë një mrekulli, që qeveria të ikë. Ah se harrova. Në shkurt, çmimi i perimeve ishte plot 0.8 për qind më i lartë se një vit më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *