Vendosni fjalën kyçe....

Maqedonia e Veriut regjistron 45 viktima dhe 1259 raste të reja me Covid-19


Maqedonia e Veriut regjistroi të martën 45 viktima nga koronavirusi dhe 1,259 raste të reja.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, 20 viktima u regjistruan në Shkup, katër në Manastir, nga dy në Gostivar, Ohër, Kocan, Veles, Strumicë dhe Gjevgjeli, ndërsa nga një viktimë në nëntë qytete të tjera.

Rastet e reja pozitive rezultuan pas testimit të 4,555 mostrave, bën të ditur raporti.

Maqedonia e Veriut ka konfirmuar në total 136,426 raste me koronavirus.

Prej tyre, 4,022 pacientë kanë humbur jetën, 136,426 janë shëruar, ndërsa raste aktive mbeten 21,265.

Deri më tash, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, janë vaksinuar mbi 12,000 persona kundër koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se pret që me sigurimin e vaksinave të reja nga Rusia dhe Kina, të vaksinohen deri në 7,000 persona në ditë.

Nga e marta, në Maqedoninë e Veriut hynë në fuqi edhe masat e reja për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Ato përfshijnë kufizimin e plotë të lëvizjes së qytetarëve nga ora 20:00 deri në orën 05:00, si dhe ndalimin e punës së objekteve të gastronomisë.

Opozita e fajësoi Qeverinë për, siç tha, përkeqësimin e gjendjes epidemiologjike dhe kërkoi dorëheqjen e ministrit Filipçe.

“Kjo, përveçse është një katastrofë për të cilën Qeveria është përgjegjëse, është turp dhe mjerim që nuk mund të lahet me asgjë. Paaftësia e Qeverisë po paguhet me jetë njerëzish”, thuhet në reagimin e partisë opozitare maqedonase VMRO DPMNE.

Filipçe tha se institucionet po ndërmarrin të gjitha masat për përballje me pandeminë dhe kërkoi që “të mos bëhet politikë me pandeminë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *