Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk ka më kufizime konfuze”- Biden jep lajmin: Nga 19 Prilli mund të vaksinohet çdo amerikan mbi 18-vjeç


Presidenti amerikan Joe Biden e ka shkurtuar me gati dy javë afatin kur çdo i rritur në SHBA do të kualifikohet për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.

Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, Biden tha se të gjithë njerëzit 18-vjeç e sipër, do të mund të vaksinohen nga 19 Prilli, dy javë më herët se afati i 1 majit që ai njoftoi më parë.

Moshat e vogla nuk përfshihen, pasi asnjë vaksinë kundër COVID-19 ende nuk është e autorizuar për fëmijët nën 16 vjeç, megjithëse testimet po zhvillohen.

“Ajo që ne do të bëjmë tani do të përcaktojë se sa njerëz do të shpëtojmë ose humbasim në muajin Prill, Maj dhe Qershor, para se të arrijmë në katër Korrik.”– tha Biden, citon Reuters.

Biden tha se jo më vonë se 19 Prill, çdo i rritur 18 vjeç ose më i madh do të ketë të drejtë të vaksinohet. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se njoftimi i Biden kishte konfirmuar për publikun se këtë të drejtë e kanë “të gjithë në të gjithë vendin”.

Kjo do të thotë që amerikanët nuk kanë më nevojë të kontrollojnë më faqet shtetërore të internetit dhe ato lokale, për të parë nëse kualifikohen për të bërë vaksinën.

“Falë punës së tyre të palodhur dhe punës së madhe të popullit Amerikan, dhe punës së palodhur të ekipit tim, unë po njoftoj sot që po e zhvendosim atë datë nga 1 maji në 19 Prill, në të gjithë vendin. Kjo do të thotë se jo më vonë se në 19 Prill, në çdo pjesë të këtij vendi, çdo i rritur mbi moshën 18 – vjeç do të ketë të drejtë të vaksinohet. Nuk ka më rregulla konfuze. Nuk ka më kufizime konfuze.”– janë fjalët e Bidenit.

Njoftimi i presidentit vjen në një kohë kur vendi po përballet me valën e katërt të rritjes së infeksioneve, sidomos në radhët e të rinjve.

“Nuk jemi ende te vija e finishit.”- tha presidenti amerikan. “Ende kemi shumë punë për të bërë. Jemi në garë për jetë a vdekje me virusin”.

 


Rregjistrohu
Më njofto
guest
0 Komente
Reagimet
Shikoni të gjitha komentet