Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Balluku jep lajmin: Rinisin menjëherë fluturimet esenciale në Rinas, nesër ato komerciale


Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë Belinda Balluku ka njoftuar se do të rinisin fluturimet thelbësore në Rinas.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë nga aeroporti i Rinasit, ministrja Balluku tha se ka nisur puna në aeroport për fluturimet që janë esenciale, ndërsa për ato komerciale po punohet që të rinisin nesër.

“Jam këtu për të komunikuar situatën në aeroportin e Rinasit pas ngjarjes së djeshme të bllokimit të trafikut për shkak të një greve të paligjshme nga kontrollorët e trafikut ajror.

Në këto momente në aeroportin e Rinasit do të nisin menjëherë fluturimet esenciale. Ato që futen në këtë kategori dhe për informacionin e qytetarëve, këto fluturime përfshijnë: fluturimet humanitare, emergjente, ato shëndetësore, diplomatike, shtetërore, ushtarake.

Gjithashtu dua t’ju bëj të ditur se kemi arritur me një përpjekeje shumë të madhe të natës së mbrëmshme, të ruajmë sasinë e vaksinave dhe do të vijnë sot rreth orës tre pasdite ku më pas do të fillojë shpërndarja ashtu siç ishte planifikuar.

Dua të informoj të gjithë qytetarët që do jetë e pamundur në këto momente që të kemi fluturime komerciale, por gjatë ditës është duke u punuar për zgjedhjen e këtij problemi shumë të madh, që sipas të gjitha planeve tona do rregullohet ditën e nesërme. Kështu që nesër që nga orët e para të mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës do të kemi operime normale për të gjithë udhëtarët e fluturimeve komerciale, pra për të gjitha kompanitë e scheduluara si dhe kompanitë charter që fluturojnë territorin e Shqipërisë. Kjo situatë e rëndë dhe e jashtëzakonshme padyshim na ka bërë të kuptojmë që ka qenë një plan i organizuar për të pasur një bllokim në ditën e fundit të zgjedhjeve. Megjithatë janë marrë të gjitha të dhënat në këto momente për të bërë një verifikim edhe më të thellë të kësaj situate dhe për të arritur në konkluzionet e duhura.

Rëndësi ka që trafiku ajror ka filluar punën dhe ne po zgjidhim hap pas hapi në orët në vazhdim në bashkëpunim edhe me grupet e punës në aeroportin e Rinasit për të vënë në funksion dalëngadalë të gjitha njësitë dhe për të kthyer gjithçka në normalitet.

Ashtu siç thashë edhe në fillim, po e përsëris edhe njëherë që në pistën e aeroportit të Rinasit do të fillojnë të ulen të gjithë ato avionë që futen në kategorinë e fluturimeve esenciale. Pra: fluturimet humanitare, shëndetësore, emergjencat, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake. Ndërkohë që fluturimet komerciale, pra ato të Aviacionit Civil për të akomoduar të gjithë udhëtarët që vijnë në Shqipëri apo që nisen nga Shqipëria, do të fillojnë nga nesër në mëngjes.”-deklaroi ministrja Balluku.

Qysh prej ditës së djeshme, fluturimet në Rinas janë pezulluar pas një proteste të kontrollorëve të cilët kundërshtojnë uljen e pagës prej pandemisë dhe shpallën paaftësinë e përkohshme për shkak të stresit që kjo gjë u ka shkaktuar./Hashtag.al


Rregjistrohu
Më njofto
guest
0 Komente
Reagimet
Shikoni të gjitha komentet