Vendosni fjalën kyçe....

Një sulltan dhe një divan

Nga Edon Qesari

Bashkimi Evropian dhe Turqia, siç edhe dihet gjerësisht, nuk janë në periudhën më të lumtur të marrëdhënies së tyre diplomatike.

Një gjendjeje të tillë, të ardhur për shkaqë politike (që do të ishte fort e mërzitshme, siç dhe pezmatuese, të renditeshin këtu), i shtohet edhe sikleti i paqartësisë institucionale të të parit – i cili as vetë nuk e di se çfarë është, kë ka në krye dhe si të sillet brenda kornizave të prera protokollare.

Dje dy krerët institucionalë më të lartë të BE-së, Presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian z. Charles Michel zhvilluan një vizitë në Ankara, e me këtë rast patën një takim me Presidentin e Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan.

Ky i fundit, e dinë të gjithë – besoj se edhe krerët evropianë! – mban mbi kokë dy kurora institucionale në vendin e vet: atë të kreut të shtetit si dhe atë të kreut të qeverisë.

Përkundër, homologët e tij evropianë nuk e kanë shumë të qartë se çfarë roli luajnë; duke qenë se Presidenti i Komisionit është, pak a shumë, në krye të një lloj ekzekutivi të Bashkimit Evropian, ndërsa Presidenti i Këshillit është në krye të një legjislativi por që mbledh bashkë gjithë krerët e ekzekutivëve anëtarë të Bashkimit Evropian (në mbledhjet e të cilit është i pranishëm, sidoqoftë, edhe Presidenti i Komisionit!).

Është bërë e qartë se mes dy roleve, ai që ka pushtet politik më të madh, është Presidenti i Komisionit; nga ana tjetër, mbetet e gjithëpranuar se figura më e lartë përfaqësuese në çështjet ndërkombëtare është ajo e Presidentit të Këshillit – edhe pse Bashkimi Evropian, në çështje ndërkombëtare është njëfarëlloj rebus-i: nuk është shtet, nuk është organizatë, nuk përfaqëson politikat e jashtme të vendeve anëtare dhe as nuk shprehet për to.

Në mënyrë konvencionale është rënë dakord se dy figurat janë në epërsi të barabartë institucionale kundrejt gjithë aparatit publik evropian.

Kthehemi tek vizita:

Erdoğan-i, si pak pusht që është, i priti dy krerët institucionalë i mbështetur mbi protokollin vetjak: një karrige e larë në ar për Kreun e Shtetit (pra për veten), si dhe një divan paksa të veçuar për figurën e dytë menjëherë pas tij, atë të ministrit të jashtëm të Turqisë.

E njëjta gjë u ofrua edhe për mysafirët, të cilët, duke qenë se që në nisje nuk e dinë se kush është mbi kë, nuk arritën ta zgjidhnin rebus-in as para Erdoğan-it që nuk humbi rast pa e shkalafitur pak dekorin e dobët evropian.

Kështu, z. Michel, Presidenti i Këshillit rendi të ulej ballë Presidentit turk, ndërsa znj. Von der Leyen mbeti si pemë dhe u ul në divanin e vendosur në një cep.

Në fund, gjithçka mori përmasat e një përleshjeje bashkëshortore, duke qenë se me t’u kthyer në kasolle dy liderat evropianë nisën të grinden me tone “E di ti se kush jam unë, apo jo?”.

Një pjesë e Parlamentit Evropian u ngrit e indinjuar në mbështetje të znj. Von der Leyen, që nuk u respektua në cilësinë e vet institucionale (por as në terma xhentilese gjinore), e një pjesë, krah z. Michel, nxori përpara letrat e martesës duke theksuar se kryefamiljari është Presidenti i Këshillit.

Me pak fjalë, vajtën t’i gjuanin gomarit dhe përfunduan duke i rënë samarit. Gallata e bërë nga Erdoğan-i thonë se ushton ende, nga korridoret e Ankarasë e deri në Bosfor.