Vendosni fjalën kyçe....

“Unë humbas punën” – Çfarë thonë pasagjerët e bllokuar në aeroport pas grevës së kontrollorëve


Me mijëra qytetarë janë në pritje të rinisjes së fluturimeve në aeroportin e Rinasit, të cilat u bllokuan pas grevës së kontrollorëve të trafikut ajror duke krijuar një rast të paprecedent.

Në aeroport po presin burra, gra, pleq e fëmijë, të cilët kanë prerë biletat për të udhëtuar, por për shkak të anulimit të fluturimeve në moment të fundit, kanë mbetur në Rinas.

Deri pak më parë ishin anuluar fluturimi për në Bergamo, Stamboll dhe në Piza. Por tanimë mbeten të anuluara të gjitha fluturimet komerciale të parashikuara për sot.

“Ne nuk kemi faj për problemin që kanë këta. Ne kemi punë, jemi familjarë.”- tregon një nga qytetarët që janë në pritje, për “Balkanweb”.

Sa i përket protestës së kontrollorëve, ata shprehen se mund të kenë arsyet e veta dhe nuk i paragjykojnë, por ama ata s’mund të humbasin vendet e punës vetëm për shkak të kësaj.

“Për momentin jam pa plan. Kompania thotë rri në hotel, ndonjë informatë më të saktë nuk kemi. Fluturimin e kishim dje në orën 13:00, mbërritëm në 11:00, bëmë check-in, por u anulua.
Sa i përket protestës, kjo mund të më ndodhë dhe mua se edhe unë jam familjar dhe fëmijët i mbaj me këtë rrogë. Ata kanë arsyet e veta pse e kanë marrë këtë vendim dhe nuk kam asnjë koment negativ t’i shpreh, por që të bëhet zhbllokimi sa më i shpejtë, të na tregojnë o të shkojmë me traget, ose në Kosovë, që mos të mbetemi këtu. Unë e humb punën, kam dhe takim në Itali për dokumente familjare. E mira është një zgjidhje.”– thotë një tjetër qytetar.

Përveç atyre që kërkojnë të udhëtojnë për punë, ka edhe nga ata që udhëtojnë për arsye shëndetësore apo për çështje dokumentesh. Një pjesë e qytetarëve nga Shqipëria janë kthyer në shtëpitë e tyre, mirëpo ata nga Kosova apo në qytete të largëta të vendit, janë të detyruar të qëndrojnë në hotele.

Një pjesë e tyre po shqyrtojnë mundësinë e të udhëtuarit me traget, të paktën ata që kanë si destinacion Italinë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë Belinda Balluku sapo doli në një deklaratë për mediet nga Rinasi, ku dha lajmin se do të riniste menjëherë puna në aeroport, mirëpo vetëm për ato fluturime që janë thelbësore: Ku përfshihen udhëtimet për arsye diplomatike, shtetërore, ushtarake, humanitare, emergjente. Por për udhëtimet komerciale po punohet që të rinisin të premten.

Kështu që përgjatë gjithë ditës së sotme, të gjitha fluturimet komerciale do të vijojnë të mbeten të pezulluara, duke i lënë qytetarët në pritje.


Rregjistrohu
Më njofto
guest
0 Komente
Reagimet
Shikoni të gjitha komentet