Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti merr kritika nga LDK-ja: Marrja me zgjedhjet e protestat në Shqipëri në kohë pandemie, papjekuri dhe papërgjegjësi politike


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka marrë kritika nga LDK, pas protestave të ditës së djeshme në Mirditë të disa aktivistëve të Vetëvendosjes, që kundërshtuan ndërtimin e një HEC-i në zonë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku thotë se angazhimi me zgjedhjet e protestat në Shqipëri në kohën kur nga 80 bashkëqytetarë në javë vdesin nga koronavirusi në Prishtinë dhe kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri dhe papërgjegjësi nga ana e Kurtit.

Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku shkruan se në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita e zgjedhur për të drejtuar në Kosovë, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.

“Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi.

Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot!
Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.
Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi!”- shkruan Abdixhiku.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *