Vendosni fjalën kyçe....

Erion Veliaj, Ulenshpigeli i Tiranës

Nga Jorida Isufaj

Tiranës i ka ngjarë me Veliajn siç i ka ngjarë një konti me Til Ulenshpigelin. Mashtruesi kishte marrë përsipër, që të stoliste me piktura kështjellën e kontit kundrejt një shpërblimi të lartë e të parapaguar.

Këtë punë do ta mbaronte brenda 4 muajsh, po vuri kushtin që në këtë periudhë asnjë njeri të mos hynte brenda në kështjellë që t’i prishte qetësinë. Katër muaj me radhë Til Ulenshpigeli ndenji në kështjellë ku hëngri e piu, e bëri qejf mbi kurrizin e kontit e NUK PIKTUROI ASGJË.

Kur u mbarua afati, ftoi kontin, konteshën e miqtë e tyre të vinin të admironin “pikturat dhe dekoret” që nuk ekzistonin. Që të shpëtonte e të ikte, para se t’i zbulohej loja, mendoi këtë strategji: Kur hynë konti, kontesha e miqtë e tyre në kështjellë paralajmëroi kështu:

“Ata dhe ato prej jush që janë doçë e doçe nuk do të mundin dot t’i shohin pikturat e dekoret që kam bërë”. Kështu që të gjithë të ftuarit me kontin në krye u përpoqën të lëvdonin “pikturat e dekoret” që nuk ishin, nga frika se mos quheshin doçër.

Vetëm një shërbëtore, pasi u përpoq më kot të shihte pikturat e dekoret, thirri: “Ndjestë pastë nëna ime, që më ka bërë doçe, se unë nuk shoh asgjë”. Po derisa të guxonin të thoshin edhe të tjerët që nuk shihnin asgjë, Ulenshpigeli kish’ fluturuar…

Kështu e ka marrë përsipër Erion Veliaj ta zbukurojë Tiranën me pemë e lulishte, me hapësira dhe sheshe dhe na mbushi kokën me mashtrimet e tij.

Por bari i mbjellë firoi, palmat u kalbën, pemët orbitale u thanë pa u mbjellë mirë. Hapësirat dhe sheshet u zhdukën në mënyrë magjike.

Dhe kushdo që e vuri re këtë, u quajt prej këtij Ulenshpigeli prej Tërpani si gënjeshtar, shpellar, zdroms, vandal, njeri që nuk e do përparimin.

Dhe nuk ka disa muaj që ha e pi qyl në kurriz të kontit, si mashtruesi i parë, por ka disa vjet që vegjeton mbi kurrizin e “konteshës” Shqipëri, jo vetëm pa bërë asgjë, por duke shkatërruar edhe pjesën e mbetur.

P.S. Nëse nuk shihni përparimin, dijeni se shkatërrimi është tek porta!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *