Vendosni fjalën kyçe....

Opozita si lakmues për koherencën ndaj vendit


Alias Autor: Erl Kodra

Replikë me Prof. Artan Fuga

Duke dëgjuar Artan Fugën tek Sokol Balla, të krijohej përshtypja se profesori po fliste për opozitën e një vendi hipotetik që ka disa probleme, por përsëri fajin për gjendjen e keqe të vendit e ka pikërisht ajo, meqenëse nuk po arrin të angazhojë elektoratin gri ose të krijojë frymën e duhur për ndryshim – dhe se shkaku duhet kërkuar brenda saj – në mënyrën e organizimit, në strukturat që nuk funksionojnë, formën e të bërit opozitë, programin politik dhe ideologjik, dhe së fundi, gabimet e njëpasnjëshme që kur braktisi sistemin duke djegur mandatet parlamentare.

Në pamje të parë, mendimet e Fugës rezononin plotësisht me gjithçka është thënë këto vite për dhe rreth opozitës, pavarësisht se fjalori i pasur dhe mënyra e arsyetimit kishte një ngjyrim të veçantë. Duket qartë se profesori është mjeshtër në fushën e tij, dhe si i tillë, edhe për arsye të veçanta, ai mund të ngrejë narrativa me ndikim në opinionin publik, sidomos në përcaktimin përfundimtar të fajtorit të vetëm për gjendjen e rëndë ku është vendi.

Por a kishte të drejtë Profesori?

Kritikat e tij do të qëndronin plotësisht sikur Edi Rama të mos ekzistonte fare, ose Shqipëria të mos ishte kështu siç është, ose më keq akoma, mendimet e profesorit të adresoheshin për një vend hipotetik dhe që ne nuk e njohim aspak. Përndryshe, kritika e tij nuk mund të justifikohet, sa kohë që ai kritikon opozitën duke e shkëputur atë nga mjedisi, ose më keq akoma, sikur ajo gjallon në një shoqëri me disa probleme, por që gjithsesi funksionon. Por nuk është ashtu.

Shqipëria është një vend i vogël dhe me të kaluar tragjike – me shoqëri të çarë – me lumenj gjaku në mes – me një pjesë të popullsisë në kufijtë e mbijetesës – me një shoqëri të kriminalizuar në palcë – me institucione të varura dhe të kapura nga mafia dhe politika – dhe mbi të gjitha – me një kryeministër si Edi Rama – demagogu më i madh pas Enver Hoxhës.

Por disa pyetje fatale nuk të lënë mëdyshje se qasja e Fugës është më së paku e papërshtatshme, sa kohë që vet profesori, si një profesionist i mirë, presupozohet që e njeh realitetin socio-politik dhe ekonomik të vendit. Vet ai ngjan, por edhe mund të jetë pjesë e elektoratit gri, domethënë, votuesi që përcakton fituesin e zgjedhjeve. Interesante do të ishte – për kë votoi Profesor Fuga, për Lulzim Bashën apo për Edi Ramën? Se lavdi Zotit, nuk besoj se ai ka votuar për Tom Doshin.

Por meqë ra fjala, a kishte profesori një opinion personal se për kë duhej të votonin shqiptarët me 25 prill? Fundja, ai është një zë i spikatur publik, me ndikim të fortë në pjesën gri të shoqërisë.

Prandaj lind pyetja – a e di zoti Fuga se sivllezërit e tij në shoqëritë demokratike mbajnë qëndrime politike, madje në momente të vështira kur përcaktohet e ardhmja e vendit, ata ndërmarrin edhe akte të forta morale, duke i bërë thirrje pjesës më të ndritur të shoqërisë se për kë duhet të votojnë? Me siguri që e di, por me sa duket, caktimi i fajtorit është një punë e preferuar.

A e di sociologu Fuga se shoqëria shqiptare është kthyer në një shkretëtirë morale, dhe se, morali zakonisht nuk gjendet me pushtetin, për më tepër në Partinë Socialiste që i ka rrënjët në komunizëm?

Mos ndoshta ai mendon se Edi Rama është një kryeministër normal, që ka qeverisur mirë, dhe se kësaj here opozita nuk ishte zgjedhja e duhur?

Sepse pas kësaj pyetje, të tjera dilema e vrasin dyshimin, se mos ndoshta profesori e ka mirë, dhe vërtetë fajtorja e vetme për mjerimin tonë është opozita shqiptare. Por kjo do të ishte e vërtetë vetëm në një rast – ashtu siç u tha më sipër – sikur Edi Rama të mos ishte Edi Rama që njohim.

Sepse për dreq në këtë vend ka vdekur morali – dhe heshtja bëhet tronditëse kur sheh atë që ndodhi – ndërkohë që bashkë me moralin vdiq edhe mundësia se dikush do të thotë ndonjëherë të vërtetën. Ah, harrova: tema e ditës është caktimi i fajtorit, dhe dihet, fajtore duhet të jetë gjithmonë opozita.

E di prof. Fuga se vendi është mbushur me trafikantë droge dhe vrasës gjithfarë, dhe se krimi i organizuar ka kapur majat e shtetit, i shtrirë horizontalisht dhe vertikalisht, në të gjitha institucionet e vendit, në të gjitha Agjencitë e Zbatimit të Ligjit, në të gjitha Gjykatat, dhe se ironikisht, në krye të Akademisë së Shkencave është Skënder Gjinushi, një ish-politikan që ia ka shitur partinë Tom Doshit, gangsterit më famëkeq në Shqipëri, i cili sfidoi hapur Shtetet e Bashkuara, duke blerë plot 35,000 vullnete shqiptarësh? Pyetja është e domosdoshme, gjithmonë nëse zoti Fuga është një akademik. Vërtetë, a ka zoti akademik një opinion për këtë fakt?

A mendon profesori se zgjedhjet ishin të lira, aq të lira se qytetarët zgjodhën lirisht Edi Ramën, të pandikuar dhe pa frikën se nëse nuk e votojnë shefin, ata nuk do të jenë edhe viktimat e para të zgjedhjes së tyre? Vërtetë e beson ai këtë? Ndoshta kështu është, profesori e di më mirë.

Përndryshe, ai mund të kishte një opinion shumë agresiv rreth dhe për gjithçka ka ndodhur përgjatë këtyre viteve nën pushtetin absolut të Edi Ramës. Por edhe për këtë duhet caktuar fajtori, dhe dihet, fajin e ka opozita, që do të mblidhet në mesnatë (më 16 maj, ora 19:00) njësoj siç mblidhej dikur Byroja Politike. Çfarë krahasimi i gjetur, Profesor!

I ka shkuar ndërmend akademikut Fuga, se në çfarë rreziku gjendet vendi nën pushtetin e një gangsteri politik si Edi Rama, që ka projektuar pushtimin ekonomik të Shqipërisë, tashmë me ligj, siç janë PPP-të, Korporata e Investimeve dhe përbindëshat e betonit? Në këtë rast, cili krah politik duhej mbështetur? Nëse jo Rama, kush tjetër? Tom Doshi, Aqif Rakipi, Rrahman Rraja apo opozitari i keq dhe i paaftë Lulzim Basha?

***

Kompromiset bëhen në udhëkryq të historisë, sidomos kur gjendesh para dilemave ekzistenciale. Kjo ndodh për interesa madhore të vendit. Me gjasë Partia Demokratike nuk është e tëra, por me siguri është gjysma më e mirë e politikës shqiptare. Sepse në krahun tjetër punojnë bashkarisht – mafiozë, kriminelë dhe politikanë. Partia Demokratike doli nga sistemi duke u përpjekur ta rrëzojë atë, nga jashtë.

Shkoi në limite të konfliktit të hapur civil, por u tërhoq. Me shumë mundësi, në momentin e fundit ajo ka menduar se kostoja do të jetë e lartë, një çmim që nuk mund të paguhej. Për rrethana  të tilla kaq komplekse është e vështirë të gjesh zgjidhjen ideale. Me siguri që kjo është një luftë e qelbur – e mira përballë së keqes. Deri tani e keqja është na avantazh, por fajtore është përzgjedhur Partia Demokratike. Por dreqi e marrtë, kjo është shumë e vështirë për t’u pranuar.

Në çdo vend të botës, një format si akademik Artan Fuga nuk do kishte dilema se vendi po shkon drejt shkatërrimit, dhe bash për këtë shkak ai do të mbante qëndrime të tjera, dhe do të mbështeste pa kushte opozitën e vendit. Në çdo vend të botës kryetari i opozitës do të jepte dorëheqjen, por me kusht që përballë të mos kishte një demagog si Edi Rama.

Në çdo vend të botës akademikët, filozofët dhe sociologët nuk do sulmonin opozitën, as liderin e saj pse ai luftoi dhe humbi një betejë të pabarabartë, në një luftë të ndyrë, me gangsterët më famëkeq të vendit, dhe njëkohësisht me një kryeministër të mafias, jo qytetarëve.

Agresioni që i bëhet opozitës është sporti i fundit që luhet në opinionin publik. Përfundimet për humbjen e saj janë të pasinqerta, tendencioze dhe me qëllime të errëta. Në fakt qëllimet janë kundër vendit, sepse opozita është pjesë thelbësore dhe aset i këtij kombi.

Nuk duhet ndonjë nivel i lartë inteligjence për të kuptuar se “reformimi i opozitës” në këto momente do ta shkatërronte atë përfundimisht, duke e futur në një cikël lufte të brendshme pa principe morale, dhe me siguri me qëllime të caktuara për ta zhbërë atë. Pjesë e këtij diskursi janë shumë figura publike (sa shumë!) mes të tjerash edhe zëri i veçantë i Profesor Artan Fugës.

Gjithkush i zgjedh betejat e veta, të mëdha ose të vogla qofshin. Por fatet e opozitës shqiptare kanë rëndësi jetike për të ardhmen e vendit. Opozita duhet mbështetur, jo sulmuar. Në këtë kuptim, qëndrimi ndaj opozitës është thelbësor për koherencën e gjithkujtë.

Edhe për Profesor Artan Fugën.

VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *