Vendosni fjalën kyçe....

Sistemi ynë arsimor si një rrjetë merimange


Nga Jorida Isufaj

Është ngritur një sistem arsimor stil merimange. Sado që të mundohesh të dalësh sipër, do ngecësh se nuk bën në fijet e rrjetës së saj, e cila të tërheq “butësisht” drejt “spirales së Arkimedit”.

Përfaqësuesit e ministrisë duke i trajtuar nxënësit si kavje laboratori, gjithmonë eksperimentojnë me ta, për të parë kush do t’i shpëtojë rrjetës.

Dhe jo vetëm kaq, por ata dalin me pretendimin se në vend që nxënësit të harxhojnë energji duke kopjuar në provim, më mirë të harxhojnë energji duke studiuar për 3 vite.

Por, ky pretendim është i vërtetë vetëm për nxënësit nën mesataren, jo për nxënësit e mirë. Sepse ata i kanë mbjellë arat e tyre dhe janë kujdesur për to, pikërisht që të marrin një prodhim të mbarë në fund.

Por… Këtu qëndron kleçka. Ministria të dërgon të korrësh në një tokë që nuk e ke mbjellë ti, por vetë ajo. Dhe nëse ty të bie tokë e varfër dhe pa prodhim, nuk është faji i ministrisë, por i yti, sepse ti duhet të nxjerrësh fryte edhe nga guri.

Kur arsimi i ka dhënë nxënësit për disa vjet fara domatesh, nuk mund t’i kërkojë që ai të sjellë shporta me qershi në fund.

Me këtë lloj sistemi ministria i ka futur nxënësit në rrjetën e vet dhe mësuesit-adimistratorë-gardianë shohin nga çdo cep i rrjetës se si nxënësit rrokullisen në arenën sfilitëse, për t’u ndeshur si gladiatorët me luanët.

Dhe ministria si një Neron me gishtin poshtë i jep përparësi provimit-luan ta gllabërojë gladiatorin-nxënës.

Matura shtetërore është një nga dështimet e shumta shqiptare, e cila si një merimangë di që ta lidhë nxënësin, por nuk di që ta zgjidhë atë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *