Vendosni fjalën kyçe....

Si u përdor Linda Rama për të mbuluar operacionin bankar të Samir Manes


Nga Habjon Hasani

Emri i Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit, ka qenë kolona zanore e çdo diskutimi publik vitin e fundit në Shqipëri, sa i takon sektorit bankar.

Zonja Rama është lakuar për pjesëmarrjen e saj në bordin e ABI-Bank, në kontekstin e dyshimeve mbi mënyrën si u licencua kjo bankë me origjinë offshore, apo dhe më tej me akuza të paqarta për ‘fonde ruse’.

Por ndërsa Linda Rama dhe ABI-Bank kanë dominuar tekstet e reagimeve politike ose shkrimeve në media, një operacion tepër delikat bankar është realizuar ndërkohë.

Në Gusht të vitit 2018, “Tirana Bank” njoftoi marrëveshjen-në parim, për shitjen e aksioneve të saj drejt grupit të biznesit Balfin (joint-venture me Komercalnija Bank, Maqedoni).

Kur u çel procesi i shitjes së “Tirana Bank”, grupi Balfin kishte konkurent pikërisht bankën e shumëpërfolur ABI-Bank, pasi dhe ABI synonte të realizonte këtë blerje. ABI ishte një rivale direkte e grupit Balfin në këtë operacion.

 Grupi Balfin është në pronësi të afaristit Samir Mane, zoti Mane ka një valencë të veçantë për shkak të ndikimit të tij okult në rangjet e larta të politikës, lidhjet me grupe të fuqishme interesi në Ballkan dhe për kontrollin direkt ose indirekt që ai ushtron në dy televizionet kombëtare TV-Klan dhe Top-Channel.

Pasi u shpall në muajin Gusht marrëveshja në parim për blerjen e “Tirana Bank” nga grupi Balfin i Manes, procesi duhej të kalonte dhe disa filtra para se të ekzekutohej tërësisht.

Duhej aprovimi paraprak nga Banka e Shqipërisë, më pas duhej aprovimi nga Autoriteti i Konkurencës dhe më pas aprovimi përfundimtar sërish nga Banka e Shqipërisë.

Në Shtator 2018, zoti Mane nisi një lobim në prapaskenë për të emëruar në bordin drejtues të Bankës së Shqipërisë, mikun e tij, ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode.

Zoti Bode u emërua zyrtarisht anëtar i BSH-së në muajin Nëntor-2018, ndërsa emërimi i tij shkaktoi jo pak debate. Partia Demokratike jepte sqarime publike se nuk ishte ajo që e kishte propozuar zotin Bode si anëtar Bordi të BSH-së, por kryeministri Edi Rama, ndërsa në sfond dëgjoheshin dhe akuzat e zakonshme ndaj Linda Ramës dhe ABI-Bank.

I vetmi përfitues i pashqetësuar dukej zoti Mane. Ai ishte në prag të finalizimit të blerjes së “Tirana Bank”, kishte finalizuar me sukses emërimin e mikut të tij në bordin e Bankës së Shqipërisë, opozita sqaronte miletin lartë e poshtë se nuk ishte ajo që e kishte bërë emërimin e Bodes por Edi Rama, ndërsa banka rivale ABI-Bank, ishte në shënjestër akuzash bashkë me gruan e kryeministrit. Perfekt.

Ndërsa zoti Bode ishte ulur në tryezën e bordit të BSH-së, Autoriteti i Konkurencës vijonte shqyrtimin e operacionit të blerjes së Tirana Bank.

Në muajin Dhjetor, Autoriteti i Konkurencës i kërkoi mendim Bankës së Shqipërisë për këtë operacion blerjeje, ndërsa Banka iu përgjigj se për të çdo gjë ishte OK.

Sidoqoftë Autoriteti i Konkurencës në janar 2019, doli me një vendim, ku ndërsa aprovonte shitjen e “Tirana Bank” drejt grupit Balfin, ngrinte dyshime se kjo blerje mund të shfrytëzohej nga ky grup për të injektuar paratë e kreditorëve drejt kompanive me bilanc negativ të “Balfin”, ose mund të ndikonte në diskriminimin e kompanive rivale të Balfin në procesin e dhënies së kredive. (Shkarko raportin e plotë të Autoritetit të Konkurencës).

Për t’u siguruar se këto fenomene nuk do të ndodhnin tani që pronari do të ishte grupi “Balfin” i Samir Manes, Autoriteti në vendim i lë detyrë Bankës së Shqipërisë që të mbajë nën monitorim të gjitha kompanitë e biznesit të grupit “Balfin” duke i konsideruar këto kompani si të lidhura integralisht me sistemin bankar.

Për të kuptuar më shumë, Hashtag.al iu drejtua zyrtarisht Bankës së Shqipërisë. Përgjigjet që jep Banka e Shqipërisë në lidhje me këtë çështje duken “si të ngrira”, ndërsa BSH në mënyrë të çuditshme mohon se Autoriteti i Konkurencës i ka lënë detyrë të posaçme të mbikqyrë aktivitetin e “Tirana Bank” dhe “Balfin Group”, ndonëse në vendimin e Autoritetit, diçka e tillë shkruhet e zezë mbi të bardhë. (Shkarko letërkëmbimin me Bankën e Shqipërisë)

 E ndërsa Autoriteti i Konkurencës aprovoi shitjen e “Tirana Bank” duke kamufluar si me stil dyshimet e veta, Banka e Shqipërisë dha aprovimin përfundimtar për këtë operacion më datën 6 Shkurt 2019.

Dyshimet e raportit të Autoritetit të Konkurencës dhe aprovimi final nga BSH, kaluan pa u vënë re nga media.

Në sfondin mediatik, dëgjoheshin kryesisht disa deklarata nga LSI që akuzonte Linda Ramën dhe ABI-Bank për avazet e zakonshme.

Më datën 7 shkurt, një ditë pasi kishte aprovuar shitjen e “Tirana Bank”, nëpërmjet një deklarate për shtyp, Banka e Shqipërisë hodhi poshtë akuzat e LSI-së ndaj ABI-Bank. Ishte e para deklaratë zyrtare e Bankës së Shqipërisë për këtë çështje.

Duhet të ketë qenë një deklaratë komode për Bankën e Shqipërisë, kishte miratuar operacionin bankar në leverdi të një afaristi të fuqishëm si Samir Mane dhe tani ishte e ngeshme t’i jepte ndonjë sqarim dhe obsesionit të opozitës me Linda Ramën.

Në finale, afaristi Samir Mane jo vetëm që arriti të imponohej ndaj kryeministrit, Autoritetit të Konkurencës dhe Bankës së Shqipërisë për të blinduar pozitat e tij në sektorin bankar, por ai arriti të realizonte dhe një operacion të shkëlqyer mediatik, ku asnjë media, asnjë ekonomist, nuk guxoi të shqyrtonte shkaqet dhe pasojat e operacionit të shitjes së “Tirana Bank”, por përkundrazi, shërbeu vetë gruaja e kryeministrit si kopertura më e mirë që opozita dhe media të kishin me ç’të merreshin ndërsa Mane kopsiste letrat i pashqetësuar. / Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *